18. December 2017

Background Right_160x600
Background Left_160x600

Si të lëmë përshtypje të mirë tek njerëzit në çdo moment? Intervistë me Rina Ademi Vitija, asistente e protokolit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

Ekzistojnë mënyra të caktuara të sjelljes që duhet respektuar pa marrë parasysh moshën që keni dhe nga jeni. Natyrisht se bëhet fjalë para së gjithash për sjellje të mirë, gjegjësisht bontonin i cili është bërë pjesë e çdo shoqërie dhe qytetërimi (civilizimi).

Për fat të keq, kohët e fundit po ndodh që njerëzit të harrojnë për sjellje të mirë, kurse bontoni dalë-ngadalë po bëhet diçka që i përmbahen vetëm individë. Bëhet fjalë për një formë të sofistikuar të sjelljes, që ka një histori të gjatë dhe përmbanë gjurmë të kohëve më të lashta.

In Article Mobile BP

Nëse kjo akoma nuk është bërë pjesë e jetës suaj të përditshme, bëjeni sa më shpejt. Filloni të silleni ndaj të tjerëve në atë mënyrë sikur do të dëshironit që dikush të sillet me Ju. Filloni që fëmijët tuaj t’i mësoni që në moshë të re me rregullat bazë të shoqërisë.

E shfrytëzuam këtë mundësi që t’ju njohim në mënyrën më të mirë të mundshme me rregullat e sjelljes përmes një interviste me një femër shumë të suksesshme, e cila do të na tregojë shumë më tepër se si të lëmë përshtypje të mirë tek njerëzit në çdo moment. Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është të krijojmë përshtypjen e parë të mirë te njerëzit, gjithmonë mbani mend se keni vetëm një shans që të bëni përshtypjen e parë dhe zakonisht mendimi i njerëzve shkon menjëherë se – ‘çfarë mendimi kanë pasur për ju në takimin e parë’?

 

Më shumë, për të gjitha këto, do të flasim me bashkëbiseduesen tonë Rina Ademi Vitija.

 

Rina, Ju lutem, na tregoni më shumë rreth vetes. Kush është Rina?

Kam lindur dhe jetoj në Prishtinë. Jam e martuar dhe kemi një vajzë. Që nga viti 2006 punoj si asistente e protokolit në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë. Këtë punë e kryej me shumë kënaqësi. Është një nder dhe privilegj për mua të punoj si asistente e protokolit për Ambasadorin Amerikan. Gjatë këtyre viteve kam fituar një përvojë të jashtëzakonshme dhe kam pasë nderin të takoj personalitete të shquara dhe të bashkëpunoj me kolegë të vendeve tjera të botës që kanë profesionin e njejtë

img_8419

Thonë se rrobat nuk e bëjnë njeriun, por gjithkush e ka të qartë se njerëzit i përkushtohen rëndësisë se ç’kemi veshur dhe momentin e veshjes. Na tregoni pak se çka duhet, çdo grua të ketë në dollapin e saj, cilat janë pjesët më moderne të veshjeve dhe gjërat që kurrë nuk është e gabuar t’i veshim. Na thuani pak për kodin e veshjes. Gjithashtu na tregoni pak më shumë edhe për grimin që duhet përdorur dhe në çfarë rrethanash?

Kodi i veshjes ka shumë rëndësi si në rrethin profesional poashtu edhe në atë social.

Disa institucione e kanë të përcaktuar kodin e veshjes apo uniformën. Në ato institucione ku nuk ka kod të veshjes duhet gjithmonë të respektohet etika profesionale e cila nënkupton veshjen sa më profesionale. Preferohen komplete me ngjyrë të zezë, hiri, krem apo kafe të kombinuara mirë me një këmishë apo bluzë e cila nuk e zbulon dekolltenë. Në veshje profesionale duhet t’i kushtohet rëndësi që fundet të mos jenë shumë të shkurta dhe pantallonat të mos jenë shumë të ngushta.

Çdo femër duhet ta ketë një komplet të zi (fund apo pantallona me sako) në dollapin e saj. Kompleti i zi ju mundëson një pamje shumë profesionale.

Duhet të kemi kujdes që grimi ditor të dallojë nga ai i mbrëmjes. Gjatë ditës grimi duhet të jetë sa më i lehtë që përfshin pak pudër dhe buzëkuq të lehtë. Në mbrëmje grimi mund të jetë më i theksuar.

 

Të gjithë e dimë se sa shumë është përhapur përdorimi i telefonit në shoqëri, sa e gabuar është kjo?

Me zhvillimin e teknologjisë moderne të gjithë ne i ekspozohemi shfrytëzimit sa më të madh të saj. Gjatë takimeve shoqërore apo zyrtare është shumë me rëndësi ta respektoni bashkëbiseduesin tuaj duke e lënë telefonin anash dhe duke e ndalur zilen. Telefonin nuk bën ta vendosni mbi tavolinë. Në rast të ndonjë urgjence duhet ta paralajmëroni bashkëbiseduesin që jeni duke pritur një telefonatë me rëndësi. Bisedën telefonike duhet ta zhvilloni në ambient të jashtëm.

img_6334-2

Siç e cekëm edhe më parë, sa e rëndësishme është përshtypja e parë te njerëzit, të themi gjatë intervistës për punë apo madje takimit të parë të dashurisë. Gjithashtu edhe përshtypja e fundit që e lëmë është shumë e rëndësishme. A mundeni të na tregoni diçka për të?

Përshtypja e parë është shumë e rëndësishme. Kjo ndërlidhet edhe me kodin e veshjes. Pa marrë parasysh se sa të aftë jeni pamja e juaj dhe sjellja luajnë rol të rëndësishëm. Duhet t’i kushtoni shumë rëndësi veshjes profesionale dhe kombinimit të mirë të ngjyrave.

Mos harroni të dërgoni letra falenderimi.

 

Si të përgjigjemi në ftesa?

Kur ftoheni në një ndejë, është mirë t’i përgjigjeni ftesës brenda 48 orëve në rast të pjesëmarrjes apo pamundësisë të merrni pjesë. Në ftesë shkruhen emrat e të ftuarve. Nuk është shumë e hijshme të thirrni organizatorin dhe ta pyesni a bën ta marr me vete një shoqe ose shok.

Ne jemi mësuar qe në ndeja zyrtare të shoqërohemi vetëm me miqtë tanë apo njerëzit që i njohim. Pse të mos shkojmë vet dhe të njoftohemi me kontakte të reja?

ambassador-delawie

Në tubimet publike apo vendet ku ndoshta jemi të vetëm, gjithmonë ekziston dyshimi gjatë përshëndetjes së njerëzve, si t’i prezantojmë drejtë, si t’i afrohemi dhe cilat tema duhet shqyrtuar në mënyrë që as ne dhe as bashkëbiseduesi të mos ndjehet në pozitë të vështirë, për gjërat që duhet folur dhe më në fund se si ta përfundojmë bisedën dhe të mos dukemi të pasjellshëm

Duhet të përshëndetemi në mënyrë sa më të ngrohtë me shtrëngim të mirëfilltë të dorës.

Në takimet e para gjithmonë i adresoheni personave në bazë të mbiemrit të tyre apo titullit. Në rast se bisedoni me një Ambasador të huaj apo Ministër nuk bën ta thirrni me emër. Gjithmonë duhet t’i referoheni si Ambasador/e apo Ministër dhe mbiemrin. E njejta rregull vlen edhe për personat me tituj akademik, ushtarak apo fetar.

Është me rëndësi që në ndeja zyrtare të prezentoheni me emër, mbiemër dhe prej cilit institucion vini. Asnjëherë mos i thuani dikujt a po të kujtohem. Është mirë që të mos e vëni në pozitë të vështirë dhe t’i prezentoheni edhe në qoftë se keni pasë rast të takoheni më herët.

Tema të cilat janë të pakëndëshme për t’u biseduar kanë të bëjnë me politikën dhe religjionin. Mund të përcillni lajmet më të reja të ditës që kanë të bëjnë me motin apo ndonjë ngjarje kulturore të cilat do të ju ndihmojnë të filloni bisedën. Mos u merrni me thashetheme. Është me rëndësi që të dëgjoni me vëmendje bashkëbiseduesin dhe të siguroheni që në bisedë i inkuadroni të gjithë të pranishmit.

Biseda përfundon atëherë kur ju doni të merrni edhe një pije apo të shijoni ushqimin.

 

Sa e kërkuar është puna juaj dhe çfarë është ajo që keni mësuar me kalimin e kohës dhe që është e rëndësishme për secilin prej nesh

Në protokol duhet t’i kushtohet shumë rëndësi detajeve. Protokoli përfshin rregullat e mirësjelljes dhe zakonet të cilat janë të pranuara ndëkombëtarisht nga diplomatët.

Gjatë përvojës kam mësuar zbatimin e rregullave të protokolit dhe hierarkinë në organizimin e ceremonive, ngjarjeve dhe vizitave të ndryshme, dhe respektin për kulturat e ndryshme dhe gjithë njerëzit pa dallim.

Poashtu kjo punë më ka mësuar të jem më e organizuar, më proaktive dhe t’i planifikoj aktivitetet shumë më herët dhe mos t’i lë për momentin e fundit.

signing-ceremony-2

Shikuar nga këndvështrimi juaj, si një njeri me kualifikim të lartë, çka do t’i këshilloni femrat tona?

Gjithmonë jini vetvetja. Besoni në vete dhe të gjitha mund të arrihen. Respektoni dhe ofroni mbështetje për femrat tjera dhe përshëndetni të arriturat e tyre. Sukseset arrihen me etikë dhe punë ekipore.


 

Related posts

Leave a Reply