18. November 2017

Background Right_160x600
Background Left_160x600

Dëshmi / Eni Çobani – Jeta është më shumë praktikë se teori

Përvojën e saj e ka të pandashme nga auditorët, qysh se ka filluar studimet. Prej aty ka hedhur bazat e profesionit të saj për drejtësi. Në lëmin e praktikave, për të gjithçka është gërshetuar mes të njohurash e të panjohurash. Situata dhe ngjarje pas të cilave, përtej teorisë, i është dashur të punojë fort e të mësojë në terrenin e vërtetë. E në gjithë këtë ‘botë’ rastesh e natyrash njerëzore, ku format e komunikimit janë nga më të ndryshmet, duhet folur e komunikuar me gjuhën e kohës dhe jo më me forma arkaike apo jo tërheqëse. Sepse për juristen e njohur Eni Çobani: “Jeta sot është praktikë më shumë se teori. Mënyra dhe forma këto, që tanimë ka ardhur koha t’i fusim që në nivelet më të ulëta të studimit”. Ë

Studimet kanë treguar se shumica e njerëzve kanë mësuar se nuk arrin të dallohesh falë një diplome. Vlera jote nuk mund të matet me një copë letër. Ndodh kështu?
Jeta jonë nis në fakt që kur fillojmë të shikojmë dhe prekim për herë të parë ata që kemi më afër, prindërit. Ata janë së pari ushqimi, forma, përmbajtja, ngjyra e gjithë asaj që mund të perceptojmë në kontaktin tonë të parë me botën. Fuqia e asaj që na rrethon, veshur kjo me tisin e kuriozitetit që na përfshin nga naiviteti i foshnjërisë e që në njëfarë mënyre na shoqëron gjithë jetën. Sepse sa më shumë ecim, aq më shumë të panjohura hasim dhe na duhet t’i përballojmë. Gjithçka fillon këtu, si do mësojmë të përballemi, si do bëjmë të jemi të suksesshëm, si do bëjmë të kapërcejmë vështirësi deri në një çast të caktuar të jetës kur kemi në krah ata që na sjellin në jetë. Por, me rritjen tonë ne fitojmë aftësi të tilla, falë të cilave jemi në gjendje të përballemi me çdo vështirësi.
Në jetën reale, nëse do të zhvillohesh, është e udhës të ndërmarrësh iniciativa, të bësh pyetje, të mendosh, të dyshosh për atë që të thonë, pavarësisht se kjo do të thotë të jesh nxënësi i bankës së fundit, si fillim. Pajtoheni me këtë?

In Article Mobile BP

Mbas atij ambienti familjar që rritemi, vështirësia e parë që përballemi është shkolla, ambienti ku gjithsecili nga ne kalon një pjesë të madhe të jetës dhe disa prej nesh i kushtojnë jetën asaj. Kaq gjithëpërfshirëse bëhet ajo për ne. Aty fillojmë të kuptojmë botën, jetën, ambientin që na rrethon, shokët që shoqërohemi dhe hera-herës bëhen dhe vendimtare në ca mënyra sjelljeje tonat që na shoqërojnë për gjithë jetën. Këtu do doja të bëja një ndarje midis brezit tonë, që e kapi ky edukim në një tjetër ambient social, dhe këtij sot ku fëmijët tanë po rriten.

Duke qenë vetë pedagoge, a ka dallime të veçanta?

Dallimi midis brezave është i natyrshëm, por ky i yni ishte i veçantë dhe bëri që brezi i para ’90-ës të ridimensionohej sipas modelit të ri të një shoqërie me rregulla të reja, me ritëm të lartë ecjeje, gjë e cila nuk u edukua në bankat e shkollës, por për këtë u nevojit një shkollë tjetër, ajo e jetës.
Në lidhje me edukimin e fëmijës suaj, jeni ndeshur më me këtë lloj mësimdhënie? 

Jeta është një shkollë më vete, tek e cila duhet të tregosh vëmendje të veçantë, të mësosh drejt rregullat e saj, të dish të bëhesh pjesë e asaj që për shumë mund të duket e pavlerë, por që ka një vlerë të pazëvendësueshme nëse do të jesh i suksesshëm, puna individuale. Pa punë nuk ka sukses dhe arritje, dhe unë jam në mënyrë kategorike kundër të gjithë atyre që mendojnë se një individ me njohje dhe miqësi mund të arrijë çdo gjë, ndoshta në mënyrë të përkohshme, por shumë shpejt del në pah se kush është gjithsecili.
Sa përpiqeni ju të ofroni praktikën e besueshme se: edukimi është fruti i studimeve dhe nuk vazhdon kur ato mbarojnë, nga njëra anë, dhe praktika është ana tjetër e domosdoshme? 

Të shkollohesh është njëra anë e së vërtetës që na ndjek tërë jetën nga pas, por e vërteta e madhe ndodh kur ne përballemi me të vërtetat e hidhura të jetës së përditshme, që asnjë shkollë nuk t’i mëson, por ato i pëson dhe i mëson vetë, pak e nga pak. Çdo gjë duhet marrë në kohën dhe vendin e duhur, pa i kapërcyer etapat, se çdonjëra prej tyre ka një vlerë të pazëvendësueshme për rritjen tonë. Çudia ndodh që ka raste kur një njeri që shkëlqen në shkollë, nuk shkëlqen në jetë dhe e kundërta ndodh me raste, kur s’është shkëlqim, por në jetë ndrit. Pra, jeta të ofron çudira, por jo se këto janë e përgjithshmja, por ndodh edhe kështu. Meqenëse me auditorët nuk jam ndarë që nga fillimi i studimeve e deri sot, bie ndesh me raste dhe natyra njerëzish nga më interesantet, edhe kjo e bën punën tonë akoma më të veçantë. Përveç njohjes individuale që ti ke me ta, mundohesh t’i njohësh dhe si individë. Dhe secili prej tyre përfaqëson një botë të vetën. Ndaj kujdesi ynë duhet të jetë i tillë që të dijë t’i përshtatet gjithsecilit prej tyre, sepse në botën që jetojmë, ku format e komunikimit janë nga më të ndryshmet dhe ne duhet të dimë të flasim e komunikojmë me gjuhën e kohës dhe jo me forma arkaike apo jo tërheqëse për ta, ku duhet të mbizotërojë praktika mbi teorinë, pasi çdo gjë që themi nëse në praktikë nuk rezulton e suksesshme, zëre se nuk u ke thënë asgjë, pasi jeta sot është praktikë më shumë se teori. Mënyra dhe forma këto që tanimë ka ardhur koha t’i fusim që në nivelet më të ulëta të studimit, që kjo të bëhet pjesë e formimit të individit, i cili nuk duhet vetëm të përthithë teori dhe tekste librash, por të jetë me hapin e kohës dhe të mos i trembet nesër konkurrencës së lirë ku fiton ai që përshtat më mirë teorinë me praktikën. Prandaj dhe shkrimin dua ta mbyll me një thirrje për të gjithë atë armatë studentësh që do të jenë e ardhmja e këtij vendi: Bëhuni sa më praktikë, duke përvetësuar nga eksperiencat më të mira të atyre që vërtet kanë shënuar histori suksesi në fushat e tyre!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.76


 

Related posts

Leave a Reply